Atentati i ndodhur në Milot para pak ditësh nga ku mbeti i vrarë 28-vjeçari Klisman Preçi dhe i plagosur Ylli Brahimi 46-vjeç duket se ka mbetur në heshtje.
Kanë kaluar disa ditë nga vrasja, ndërkohë që nuk është zbuluar asnjë detaj në lidhje me autorët e ngjarjes.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë Drejtues i Parë Vehbi Busha, ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka folur në lidhje me ngjarjen dhe ka njoftuar se policia po punon intensivisht për dokumentimin dhe zbardhjen e ngjarjes.
Fjala e Drejtorit Vehbi Busha:
Strukturat e DVP Lezhë, në koordinim me strukturat hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, po punojnë intensivisht për zbulimin e dokumentimin ligjor të ngjarjes së rëndë të ndodhur më datë 22 korrik 2022, në Milot.
Policia e Lezhës shpreh vendosmërinë e saj në luftën pa kompromis ndaj krimit, duke përdorur të gjitha kapacitetet e saj dhe duke bashkëpunuar ngushtë edhe me institucionet e tjera ligjzbatuese, për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të krimeve të kryera, si dhe ndërhyrjen për parandalimin e ngjarjeve të tjera të mundshme kriminale.
Përfitoj nga rasti të ftoj të gjithë qytetarët, që të mbështesin akoma më shumë dhe të bashkëpunojnë me Policinë, për të denoncuar çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm e të paanshëm.”
Kujtojmë se mbrëmjen e së premtes mbeti i vdekur Klisman Preçi 28 vjeç, ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës Ylli Brahimi. 46-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa ka marrë dëmtime në gjoks dhe në këmbë.
Dy personat po qëndronin poshtë banesës së tyre në Milot, ndërsa u përballën nga breshëria e mbi 150 plumbave të atentatorëve.
Të dy janë persona të njohur për drejtësinë shqiptare, ku Ylli Brahimi është i përfshirë në biznesin e lojërave të fatit, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, ndërsa Klisman Preçi ka precedent penal për grabitje me armë.
Mësohet se Ylli Brahimi lëvizte me makinë të blinduar, e cila u bë shoshë nga “plumbat”.
Pak minuta pas atentatit, në Borizanë të Krujës është gjetur një mjet tip ”Audi”, me dy kallashnikovë brenda duke u djegur, ndërsa po verifikohet nëse është e atentatorëve.
Viktima e atentatit të mbrëmjes së 22 korrikut në Milot, Klisman Preçi i shpëtoi mrekullisht plumbave në maj të këtij viti, ku shënjestër ishte i afërmi i tij Blerim Preçi.
Më 12 Janar 2021 Ylli Brahimi, ishte duke ecur në trotuar në shoqërinë e dy personave të tjerë, kur në drejtim të tij është qëlluar me armë zjarri 15 herë. Ylli Brahimi Brahja është marrë në pyetje gjithashtu pas vrasjes së ish policit Xhelal Reçi.
Sjellim në vëmendje se pasditen e 17 korrikut në një atentat mafioz mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.
Në këtë ngjarje dyshohet se kanë qenë minimalisht tre autorë, një në drejtimin e mjetit dhe dy që kanë qëlluar. Duke qenë se i kishin shpëtuar të atentateve më parë, ata kishin shtuar masat e sigurisë. Lëviznin me makina të blinduara dhe në pallatin ku jetonin kishin instaluar kamera sigurie në çdo cep.