Llej Lika, 22-vjeçari që ka pranuar autorësinë e vrasjes së biznesmenit Rakip Roli ka rrëfyer dhe mënyrën se si e ka realizuar krimin e aryset që e shtynë ta bëntë këtë gjë. Në dëshminë e tij Lika është shprehur se ka vepruar i vetëm dhe se mëngjesin e nëntë dhjetorit ka dalë nga shtëpia me planin e qartë për të vrarë biznesmenin Roli që njihej edhe me emrin Pilot.
22-vjeçari ka shtuar më tej se qëllimi i tij ishte të merrte hak pasi djemtë e Rolit e kishin dhunuar për shkak se kishte ngacmuar një vajzë. Ai shton se pasi e ka kryer krimin ka shkuar në lokalin ku e kishin dhunuar djemtë e Rolit dhe ka qëlluar me breshëri plumbash në ajër duke thënë: I mora hakun, vura nderin në vend!
“Unë kam vepruar i vetëm dhe atë mëngjes e dija se çfarë do bëja. Babai im ka qenë në shtëpi, dhe vetëm sa më ka përcjellë në oborr, por s’ka pasur asnjë dijeni se kisha armën në makinë dhe do dilja për të vrarë Rakipin. Kam shkuar pranë banesës së tij dhe në një rrugicë jam pozicionuar për të pritur se kush do dilte nga shtëpia, Rakipi apo ndonjë nga djemtë e tij. Në momentin që nga shtëpia ka dalë Rakipi, e kam ndjekur për disa metra me makinë dhe më pas, i jam afruar duke e qëlluar. Ika nga vendi i ngjarjes dhe kam shkuar tek lokali i fshatit ku më dhunuan dy djemtë dhe Rakip Roli për një femër. Aty kam zbritur nga makina dhe kam qëlluar një herë me breshëri, duke bërtitur me zë të lartë “…i mora hakun, vura nderin në vend…” dhe më pas jam larguar. Në ikje e sipër, rrugës kam parë shokun tim, Klajdi Gjegjaj, të cilin e kam marrë me vete dhe jam larguar në drejtim të shtëpisë së David Gegës, ku në sërën e druve kam fshehur armën e krimit,”-thuhet në dëshmi.
Biznesmeni Rakip (Pilot) Roli, 55 vjeç u vra sapo doli nga shtëpia e tij me mjetin e llojit ‘Audi Q7’. 7 plumba kapën në trup Rolin dhe bënë që ai të ndërronte jetë. Llej Lika, 22 vjeç, babai i tij Skënder Lika dhe Klaudio Gjexhaj (Beleshi), të tre personat e akuzuar për ngjarjen në fjalë u vunë në pranga një ditë pas ngjarjes në një shtëpi në Fushë Milot ku dhe po fshiheshin. Autorësinë e krimit e ka marrë përsipër Llej Lika.
/Priza.al/