Erigers Mihasi dhe Amrnado Dumani mbetën të vdekur mbrëmjen e të shtunës në zonën e “Astirit” në Tiranë , si pasojë e një atentati me armë zjarri. Ata ishin duke lëvizur në Unazën e re, në afërsi të vendit të quajtur “dy rrathët” në Astir, kur pranë tyre kaloi një tjetër makinë dhe qëlloi me breshëri kallashnikovi.
Dy të rinjtë mbetën të vdekur në vend, ndërsa për autorët nuk ka ende informacion. Mjeti i tyre, një “Toyota” e vjedhur u gjet pas një ore në Thumanë, e djegur dhe me dy kallashnikov në të, me numra serialë të fshirë.
Gazetarja Anila Hoxha mëson se dy viktimat ishin takuar me njëri-tjetrin mesditën e të shtunës dhe nuk ishin ndarë me deri në mbrëmje, kur breshëria e plumbave u mori jetën. Sot, bëhet me dije se në makinën Audi të bardhë ka qenë dhe një vajzë, e cila ishte e njohur e Erigersit.
Ajo ka thënë në Polici se dy djemtë e morën me makinë rreth orës 16.36. Afro tre orë më vonë, në orën 19.00, vajza ka zbritur në zonën e Komunës së Parisit. E reja e cila nuk identifikohet me emër, ka treguar se ata vetëm kishin shëtitur me makinë.
“Në orën 19:25 të asaj mbrëmje, Erigersi më dërgoi si emoji një trëndafil”, ka thënë vajza.
Pak minuta më vonë, ndodhi dhe atentati ku dy djemtë humbën jetën. Dëshmitarja kujton se asnjëri prej tyre, nuk ishte i shqetësuar dhe se ata nuk kishin vënë re asgjë të dyshimtë para atentatit.
Nga përplasja me anëtarët e klanit Duka, të cilët akuzohen edhe për vrasjen e Santiago Malkos, mik i ngushtë si i Mihasit ashtu edhe i Ervis Martinajt këto janë disa nga pistat qe po ndjek policia.
Top Channel shkruan se Erigers Mihasi, 32 vjeç, ishte eksponent i njohur i botës së krimit. Ai njihej si mik i Ervis Martinajt dhe Santiago Malkos, i ekzekutuar në vitin 2019. Mihasi dyshohej edhe si person që kishte lidhje me bazën e armatimit në Yrshek të zbuluar pak kohë më parë, por që u shpëtua pasi fajin për këtë bazë e mori Gëzim Haroku.
Gjithashtu, bashkë me këtë shtetas, Mihasi dyshohej se kishte qëlluar me armë ndaj një hoteli në rrugën dytësore Tiranë-Durrës.
/Burimi: Anila Hoxha TCH/