Një atentat mafioz u regjistrua në qytetin e Fierit në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, ku në shënjestër ishte një biznesmen 57- vjeçar. Viktima është vëllai i Medi Backës, ish-anëtarit të bandës së Fierit i cili është vrarë në 1997-ën.
Demir Backa, ishte në makinën e tij në momentin kur u qëllua me armë zjarri duke gjetur vdekjen pak momente më vonë në spitalin e qytetit. “Rreth orës 20:40, në vendin e quajtur ‘Rrethrrotullim i QTU-së’, dyshohet se nga një automjet tip ‘Benz’ është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. B., 57 vjeç, i cili ishte brenda automjetit të tij tip ‘Audi’ dhe si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin e Fierit.
Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, Forca e Posaçme ‘Shqiponja’ dhe 2 grupe të FNSH-së kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit”, sqaroi Policia lokale.
ATENTATI
Të paktën dy persona kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të 57-vjeçarit, çka do të thotë se atentati ka qenë i mirorganizuar paraprakisht. Pasi qëlluan në drejtim të Baçkës, automjeti i vrasësve u largua për në aksin rrugor në drejtim të Vlorës. Automjeti u gjet më pas i djegur, një metodë e njohur kjo nga grupet kriminale për të humbur gjurmët. Automjeti tip “Benz”, sipas Policisë, u gjet duke u ndjekur pranë fshatit Daullas. “Në fshatin Daullas është gjetur e djegur një makinë tip ‘Benz’, e cila dyshohet të jetë e autorëve”, sqaroi Policia lokale.
Në automjetin tip “C Class” me portobagazh që u gjet i djegur pranë “Bay-pass”-t të Fierit, Policia sekuestroi dy armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur për ekzekutimin e 57-vjeçarit. Bëhet fjalë për një armë tip kallashnikov dhe një pistoletë. Armët janë dërguar pranë laboratorit të Policisë Shkencore ku do t’i nënshtrohen ekspertizës për të zbuluar nëse ato janë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale. Pas atentatit, forcat e rendit kanë gjetur dhe sekuestruar edhe 16 gëzhoja.
Pas ngjarjes, Policia e Fierit, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe 2 grupe të FNSH-së shkuan në vendngjarje dhe nisën krehjes e zonës për kapjen e autorëve, por pa sukses. Ndërkohë, dyshimet e para tregojnë se autorët e ekzekutimit mund ta kenë ruajtur prej kohësh shënjestrën e tyre. Viktima ka qenë në një kafe aty pranë dhe sapo është ndarë nga miqtë e tij, ka hyrë në makinë për të shkuar në shtëpi.
Në çastin që është qëlluar, ai ka qenë para qendrës tregtare ku kishte parkuar automjetin dhe priste të largohej prej andej. Autorët kanë shfrytëzuar këtë moment për të qëlluar në drejtim të tyre. Atentati u regjistrua në një orar kur rrugët e qytetit janë të mbushura me njerëz, por kjo nuk i ka stepur autorët të qëllojnë me breshëri automatiku në drejtim të 57- vjeçarit. Mbi 15 plumba janë shkrepur në drejtim të viktimës, i cili ka qenë i papërgatitur për këtë sulm, pasi nuk ka mundur të manovrojë dhe as të përpiqet të largohet.
Policinë e kanë njoftuar dëshmitarë të rastit ndërsa aty afër ka qenë edhe patrulla e Policisë së qarkullimit rrugor. Ndonëse janë përpjekur t’i vijnë në ndihmë 57-vjeçarit duke e nisur në kohë në spital, bluzat e bardha thanë se ai nuk kishte asnjë mundësi të mbijetonte pasi plagët kanë qenë vdekjeprurëse.
FAMILJARËT, AKUZA POLICISË
Familja ka përjetuar tragjedi të shumta për shkak të vrasjeve dhe i fundit ishte 57-vjeçari Demir Backa. Pasi Backa ndërroi jetë në spital, ka pasur momente tensioni mes familjarëve të viktimës dhe forcave të rendit. Të afërmit e 57- vjeçarit u drejtohen “bluve” me fjalët: “Mos u afroni se do t’ju vras”, “S’kemi nevojë për shtet”, apo sharje si: “Do t’ju q* r**t”. Në video dëgjohet zëri i një burri që iu drejtohet policëve me fjalët: “Ishe aty more dhe e vranë”, “Ishe aty, si nuk keni turp”, “Vranë një biznesmen”.
Kush është Demir Backa, i ekzekutuar me armë zjarri Disa nga pistat ku po heton Policia pas atentatit mafioz
Policia lokale ende nuk ka një pistë hetimi për atentatin e stilit mafioz që u regjistrua në qendër të qytetit të Fierit. Pistat janë të shumta, nga ato për hakmarrje, te konfliktet për çështje biznesi. Pas ngjarjes, Policia shoqëroi shumë persona, por asnjë prej tyre nuk ka dhënë dëshmi domethënëse për ngjarjen. Nuk përjashtohet mundësia që autorët të jenë vrasës me pagesë. Paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për vrasës me pagesë.
Po kush është Demir Backa? Viktima nuk njihet si person problematik në qytetin e tij apo të jetë përfshirë në ngjarje kriminale. Por ajo që dihet deri më tani është një konflikt i tij me një person me influencë dhe subjekt i OFL-së në qytetin e Fierit, konflikt i regjistruar pak muaj më parë. Një pistë e dytë që mund të lidhet me vrasjen është edhe një konflikt për një pjesë të lagunës në Gotull të Lushnjës.
Një sipërfaqe prej rreth 200 hektarësh është dhënë me koncesion dhe para disa kohësh ka pasur një konflikt mes personit që e ka marrë me koncesion, A. P. dhe 57-vjeçarit të vrarë me armë zjarri, Demir Backa. Pista e tretë lidhet sërish për çështje pronash. Backa ka pasur qindra hektarë tokë të pyllëzuar në Darëzezë dhe në këtë sipërfaqe janë prishur disa objekte të ndërtuara nga banorët. Demir Backa, i njohur si Dem Backa, ishte pronar i Bar-Restorant “Piazza” në Fier.
Në QKB biznesi rezulton i regjistruar në emër të tij që në vitin 2013. Backa ishte vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit i cili është vrarë në 1997-ën, Medi Backa, i njohur si Buc Backa. Buc Backa u vra në masakrën e Levanit, së bashku me 23 persona të tjerë, por nuk dihet nëse vrasja e Demir Baçkës ka lidhje më këtë masakër.
Masakra e Levanit konsiderohet si më e madhja që ndodhi gjatë trazirave të vitit 1997 ku në rrethana ende të paqarta u vranë 24 persona gjatë një përplasjeje me armë që zgjati dy orë. Një pistë tjetër është edhe ajo që lidhet me një krim të kryer 23 vite më parë. Në vitin 1998, 57-vjeçarit i kanë ekzekutuar motrën dhe bashkëshortin e saj në afërsi të Shkollës së Muzikës në Fier.
/Priza.al/