Biznesmeni i njohur grek, Dimi Korfiati, është ekzekutuar mesditën e sotme. Ai është qëlluar nga një person i panjohur në oborrin e zyrës së tij. I ndjeri kishte shkuar në zyrën e kontabilitetit, për të diskutuar rreth një programi financimi, ku ai ishte i përfshirë.
Gjithashtu ka mbetur i plagosur një nga pronarët e zyrës. 54-vjeçari është transportuar menjëherë në Spitalin e Zakynthos, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, qershorin e vitit të kaluar, ai i kishte shpëtuar një atentati, ku fatkeqësisht humbi jetën gruaja e tij. Autorët nuk janë zbuluar ende.
Viktima, Christina Kloutsinioti, dhe njëkohësisht bashkëshortja e Korfiati-t, ishte kandidate për këshilltare komunale në zgjedhjet e mëparshme lokale të mbajtura në Greqi.
Vëllai i viktimës ka dhënë një deklaratë: “Unë jam vëllai i Dimis, çfarë të të them? Nuk është koha e duhur sepse jam në skenën e sulmit vrasës. Ngjarja tragjike ndodhi disa orë më parë. Vëllai im ishte pranë një qendre tregtare 24-orëshe në Zakynthos, e cila ka shumë dyqane atje dhe është një vend i populluar. Vëllai im hyri në një zyrë kontabiliteti, vrasësit kaluan pranë me një makinë Fiat Panda. Ata ndaluan, qëlluan në derën e zyrës, hynë brenda, e vranë atë, u ngritën dhe u larguan. Kjo ishte e gjitha. Tani tre mbesat e mia do të mbeten jetime nga babai i tyre, pasi nëna e tyre u vra verën e kaluar”, tha vëllai i viktimës.