Pak para mesnatës së të mërkurës, një atentat tronditi qytetin e Vlorës, ku si pasojë mbeti i vrarë një 35-vjeçar. Viktima, Shkëlzen Velaj ka qenë duke hyrë për në shtëpi, kur ka vënë re se pranë pallatit po e ndiqte një makinë e dyshimtë. Velaj e ka lënë makinën e tij ndezur dhe ka ikur me vrap për t’u futur në banesë, në katin e 5-të të pallatit. Në momentin që ai ka qenë duke hapur derën, është qëlluar me breshëri plumbash.
Plumbat në drejtim të 35 vjecarit kanë qenë nga një distancë e afërt. Në trupin e Velaj është lëshuar një karikator automatiku, që i kanë kushtuar jetën 35 vjecarit. Sipas policisë 35 vjecari ka ndërruar jetë në spital. Atentati dyshohet të jetë kryer nga 2 apo më shumë persona.
Autorët pas atentatit janë larguar në drejtim të rrugës së lumit të Vlorës, në afërsi të fshatit Risili pranë “bay passit” ku kanë braktisur makinën tip BMË pa targa dhe e kanë djegur ndërsa janë larguar në drejtim të paditur.
Policia prezente në vendin e ngjarjes ka bërë grumbullimin e materialeve dhe po punon për zbardhjen. Sa i takon Shkëlzen Velaj, 35 vjecari është vëllai i Ardi Velaj, i mbetur i vrarë në masakrën e Çoles, ndodhur në 7 prill të 2015-ës.