Një epidemi e re, e cila prek zogjtë ka shpërthyer në Shtetet e Bashkuara, por sipas ekspertëve ende nuk dihet shkaku. Ndërsa bota po lufton me Covid-19, specie të shumta zogjsh, kryesisht në Uashington, D.C., kanë ngordhur papritur.
Epidemia filloi në prill duke u përhapur në shumë shtete të SHBA-së dhe sipas ornitologëve zogjtë kishin sy të fryrë dhe probleme neurologjike duke i bërë ata të humbisnin ekuilibrin.
Jim Monsma, themelues dhe drejtor i një qendre për mirëqenien e shpendëve në kryeqytetin amerikan, tha se nuk është e pazakontë që zogjtë të kenë probleme në sy, por ky është “një shpërthim i pazakontë”.
Testet mbi zogjtë e ngordhur deri më tani nuk kanë nxjerrë në pah asnjë të dhënë, madje është përjashtuar edhe mundësia që zogjtë të jenë infektuar me sëmundjen e Nilit Perëndimor.
“Ne ende nuk e dimë arsyen. Mund të ekzistojë mundësia që mund të transmetohet edhe te njerëzit,” tha Monsma.
Besohet se arsyeja mund të jetë insekti cicada që u shfaq për herë të parë në prill, por asgjë nuk është vërtetuar ende.
/Priza.al/