A mundet që rritja e rasteve me COVID-19 në Kinë të krijojë një mutacion të ri të koronavirusit në botë?
Shkencëtarët thonë se nuk e dinë, por shqetësohen se kjo gjë mund të ndodhë. Varianti i ri mund të jetë i ngjashëm me variantin Omicron, që qarkullon aktualisht atje, një kombinim variantesh, ose diçka krejt ndryshe, thonë ekspertët.
“Kina ka një popullsi shumë të madhe dhe me imunitet të kufizuar. Dhe ky duket të jetë mjedisi në të cilin mund të shohim një shpërthim të një varianti të ri”, thotë Dr. Stuart Campbell Ray, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin Johns Hopkins.
Çdo infeksion i ri ofron një shans që koronavirusi të ndryshojë dhe të dhënat tregojnë se virusi po përhapet me shpejtësi në Kinë. Vendi me një popullatë prej 1.4 miliardë banorësh, ka hequr dorë kryesisht nga politika e kufizime të rrepta ndaj koronavirusit njohur si politika “zero COVID”. Megjithëse normat e përgjithshme të raportuara të vaksinimit janë të larta, nivelet e marrjes së dozave përforcuese janë më të ulëta, veçanërisht tek të moshuarit.
Vaksinat kineze kanë rezultuar gjithashtu më pak efektive kundër rasteve të rënda të sëmundjes krahasuar me ato që përdoren në perëndim. Shumë kinezë janë vaksinuar më shumë se një vit më parë, çka do të thotë se imuniteti i tyre ndaj koronavirusit është zbehur.
Rezultati thonë ekspertët, krijimi i një “toke pjellore” për një mutacion të mundshëm të virusit.
“Kur shohim një valë të madhe infeksionesh, ajo shpesh pasohet nga dalja e varianteve të reja”, thotë doktor Ray.
Rreth tre vjet më parë, varianti origjinal i koronavirusit u përhap nga Kina në pjesën tjetër të botës, duke u zëvendësuar nga varianti Delta, e më pas ai Omicron, e pasardhësit e tij, të cilët vazhdojnë të krijojnë shqetësime në shumë vende të botës.
Dr. Shan-Lu Liu, i cili studion viruset në Universitetin Shtetëror të Ohajos, thotë se shumë variante ekzistuese të Omicronit janë zbuluar në Kinë, mes tyre BF.7, i cili është jashtëzakonisht rezistent dhe besohet se është shkaktar për rritjen aktuale të numrit të infeksioneve.
Ekspertët thanë se një popullatë pjesërisht e imunizuar sikurse ajo kineze, krijon kushte që virusi të ndryshojë./VOA