Në një postim të tyre Grupi ELITA 5 ka ftuar institucionet e Kosovës që të miratojnë kërkesën që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë, kërkesë kjo që është bërë nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.
Ky është postimi i tyre:
Elita 5 ka qenë në mbështetje të luftës çlirimtare të Kosovës dhe ka dënuar fuqishëm gjenocidin që Serbia ka kryer kundër shqiptarëve. Prandaj mbështesim kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i gjenocidit në Kosovë, si simboli më kuptimplotë dhe më gjithëpërfshirës për format e këtij krimi që u aplikuan ndaj shqiptarëve të të gjitha moshave dhe gjinive!
Ftojmë të gjithë shqiptarët kudo qofshin në botë dhe institucionet shtetërore të Kosovës ta miratojnë këtë kërkesë që me 15 janar, me këtë simbol unik, të përkujtojmë viktimat e gjenocidit të kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë.