Pronari i ri i platformës “Twitter”, Elon Musk ka ngritur shqetësimin mes ndjekësve të tij se po përballet me një rrezik “mjaft real”, pasi është kërcënuar me jetë.
Para disa ditësh Musk pretendoi se rreziku që t’i ndodhë diçka e keqe apo edhe të vritet fjalë për fjalë është “mjaft i qenësishëm”. Në një bisedë me audio që zgjati prej rreth dy-orësh në Twitter Spaces, ai deklaroi se kohët e fundit, ai “definitivisht” nuk do të lëvizte më me makinën e tij.
“Rreziku që të më ndodhë diçka e keqe, apo të qëllohem (vritem), ka shumë probabilitet. Nuk është aq e vështirë të vrasësh dikë nëse do, kështu që shpresojmë se nuk do ta bëjnë dhe kjo nuk ndodh… Ka padyshim një rrezik të madh atje”, është shprehur pronari i Space X.
Po ashtu, ai foli për rëndësinë e fjalës së lirë dhe planin e tij të ardhshëm për Twitter-in. Ai tha se “në fund të ditës, ne thjesht duam të kemi një të ardhme ku nuk jemi të shtypur, ku e mund të themi atë që duam të themi pa frikë nga hakmarrja”.
‘Twitter Files’
Miliarderi i teknologjisë deklaroi gjithashtu se gjatë historisë, liria e fjalës ka qenë “shumë e pazakontë, jo e zakonshme. Kështu që ne duhet të luftojmë shumë për ta mbajtur atë sepse është një gjë kaq e rrallë dhe nuk është aspak diçka e paracaktuar”.
Diskutimi I tij në “Twitter Spaces” erdhi një ditë pasi gazetari Matt Taibbi me drejtimin e Musk, publikoi komunikime të brendshme mes drejtuesve më të lartë të Twitter-it para se kompania të blihej nga CEO i Tesla-s, duke treguar se si platforma kishte pezulluar dhe censuruar përdoruesit që komentuan historinë e laptopit të Hunter Biden, djalit të Joe Biden.
Musk pretendoi se dosjet tregojnë se si Twitter “po vepronte si një krah” i Partisë Demokratike në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke ndërhyrë drejtpërdrejtë në sistemin zgjedhor.
Ai gjithashtu tha se do të publikonte edhe më shumë dosje në të ardhmen e afërt dhe tha se, “Ne thjesht do të vendosim të gjithë informacionin para jush dhe do të përpiqemi të nisim në një faqe të pastër, do të jemi vazhdimisht më të mirë dhe do të detyrojmë kompanitë e tjera të medias që gjithashtu të jenë më shumë në krah të së vërtetës ose përndryshe do të humbasin ndjekësit dhe lexuesit e tyre”.
https://twitter.com/i/status/1599322235684069376