Miliarderi Elon Musk është shpallur sërish njeriu më i pasur në botë, sipas të dhënave nga Bloomberg. CEO i Tesla-s u rrëzua më parë nga “froni” nga Bernard Arnault, CEO i markës luksoze franceze LVMH, në dhjetor të vitit të kaluar.
Por, nga dita e djeshme ka pasur një rritje në aksioneve të Tesla-s, gjë që ka ngritur Musk përsëri në krye të Indeksit të Miliarderëve. Pasuria neto e Musk ishte rreth 187.1 miliardë dollarë, sipas Bloomberg, duke kaluar pasurinë prej 185.3 miliardë dollarësh të Arnault.
Aksionet e Tesla ranë ndjeshëm mes polemikave për blerjen e Twitter-it nga Musk. Për këtë arsye ai mban edhe rekordin negativ për pasurinë më të madhe të humbur ndonjëherë nga dikush në histori. Në fund të vitit të kaluar, Musk u bë personi i parë që humbi 200 miliardë dollarë pasuri.