“Big Brother” do të transmetohet këtë vit për herë të parë në Kosovë në formatin “Vip”. Teksa prej muajsh përflitet data e fillimit të këtij spektakli, akoma nuk ka një informacon zyrtar.
Disa kohë më parë u konfirmua se ajo që e mbante peng këtë reality-show të fillonte ishte shtëpia, punimet e së cilës akoma nuk kishin përfunduar. Së fundmi, e ftuar në një intervistë, moderatorja Jonida Vokshi u shpreh se shtëpia e “Big Brother Vip Kosova” është drejt fundit, ka mbetur vetëm të vendoset data e nisjes së transmetimit.
Gjatë kësaj periudhe kuriozitet të madh ka pasur edhe për konkurentët pjesëmarrës. Aktorja u pyet mbi emra konkretë, ndonëse hezitoi të zbulonte më tepër.
“Emra nuk zbulojmë dot, por harta është shumë e larmishme për faktin se ka shqiptarë nga Shqipëria, shqiptarë nga Kosova, shqiptarë nga diaspora. Është shumë e gjerë, është jashtëzakonisht e larmishme nga kudo ka shqiptarë dhe janë personazhe që kanë shumë për të dhënë aty brenda,”-shtoi Jonida.
Elvana Gjata është një nga emrat që është lakuar më së shumti për të qenë pjesë e “BBVK”. E dini tashmë se këngëtarja është shoqja e ngushtë e Vokshit.
Nuk kishte si të mungonte pyetja e drejpërdrejtë për praninë e Elvana Gjatës. Jonida e theksoi se mikja e saj nuk do të jetë pjesë e reality-show-t në Kosovë.
“Jo nuk do të jetë Elvana, këtë të paktën e konfirmojmë. Bukur do ishte por jo”,-përfundoi Jonida Vokshi.