Banorët e qytetit të Fierit janë shumë të shqetësuar, pasi prej 2 ditësh tashmë vendimi i bashkisë për të djegur mbeturinat ka krijuar një katastrofë mjedisore.
Në pamejt e dërguara nga qytetarët duken retë e zeza të formuara nga tymi i plehrave të djegura, duke krijuar kështu një situatë shumë të rrezikshme për shëndetin. Fusha e mbetjeve urbane në Fier, në vendin e quajtur Mbrostar është përfshirë mbrëmjen e djeshme nga flakët. Edhe pse shumica e vatrave të zjarreve janë shuar pas ndërhyrjes së zjarrfiksit, ka sërish që janë aktivizuar, ndërkohë që edhe pse Mbrostari ndodhet rreth 3-4 km larg qendrës së Fierit, era dhe tymi kanë mbërritur të ‘pushtojnë’ qytetin.
Duket se deri në fund të muajit gusht, kur do të jetë gati inceneratori, situata me mbetjet në Fier do të jetë mjaft problematike, për shkak se landfilli është shpallur emergjencë mjedisore.
Arjan Ndreu, Drejtor i Ndërmarrje së Pastrim Gjelbërimit pranë Bashkisë Fier, ndërsa foli për situatë e krijuar në Fier, me djegien e mbeturinave, tha se ata po punohet për të vënë nën kontroll flakët, duke mbuluar mbetjet me dhe’, për shkak se nga djegia ato gjenerojnë gaz metan, që është shumë i rrezikshëm. Ai theksoi se në fund të muajit gusht do të jetë gati inceneratori ku do të depozitohen të gjitha mbetjet e Fierit.
Kemi marrë masat, Bashkia e Fierit është angazhuar me mjete për shuarjen e zjarrit dhe për të normalizuar situatën. Ne me mjete tona po përpiqemi të menaxhojmë situatën. Po bëjmë mbulimin me dhe të mbetjeve të zjarrit, si e vetmja mundësi për t’i fikur pasi mbetjet gjenerojnë gazra metani që janë të rrezikshëm dhe marrin vetvetiu flakë. Është e vërtetë që fusha e mbetjeve urbane të qytetit të Fierit ka shpallur emergjencë mjedisore dhe në bazë të korrespondenca me firmën e inceneratorit, ne jemi gati që në fund të gushtit të fillojmë me evadimin e mbetjeve të Fierit te inceneratori”, tha ai.
/Priza.al/