Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në cilësinë e Presidentes të Sesionit të 71-të të Komitetit Rajonal të Evropës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka hapur këtë të martë Sesionin Special të këtij Komiteti që po mbahet në Kopenhagen të Danimarkës, në lidhje me emergjencën shëndetësore në Ukrainë dhe në vendet fqinje.
Manastirliu pohoi se Komiteti Rajonal do të shqyrtojë draft-rezolutën, në lidhje me aspektet ndërkombëtare të emergjencës shëndetësore në Ukrahinë dhe përtej.
“Komiteti Rajonal sot, do të ftohet të marrë në konsideratë një projekt-rezolutë e cila parashtrohet nga 36 shtete anëtare nga Rajoni Evropian i OBSH-së, ‘WHA75: Emergjenca shëndetësore në Ukrainë dhe në vendet fqinje, që është krijuar nga agresioni i Federatës Ruse. Sikundër përcaktohet edhe në kërkesë dhe në projekt-rezolutë, Komiteti Rajonal ftohet të veprojë, sipas rolit të përcaktuar në Nenin 50(e) të themelimit të OBSH, për të këshilluar OBSH-në (përmes Drejtorit të Përgjithshëm) në lidhje me aspektet ndërkombëtare të emergjencës shëndetësore, rëndësia e së cilës i kalon kufijtë rajonalë”, tha ajo.