Emigracioni ul konsumin e vezës, zgjidhja tek eksportet

Një vit pas epidemisë së gripit të shpendëve, prodhimi i vezëve ka nisur trendin rritës. Për herë të parë, veza shqiptare po eksportohet me fitim nga kompanitë, për shkak të çmimit të lartë në Europë nga pandemia e influencës aviare.

Konsumi i brendshëm është tkurrur deri në 40% për shkak të emigracionit të të rinjve. Operatorët kanë zëvendësuar 90% të shpendëve pa asnjë kompensim nga shteti. Operatorët ankohen se shifrat e Ministrisë së Bujqësisë janë të fryra.

Në një kohë kur Europa, disa shtete të Azisë dhe SHBA-së po vuajnë pasojat e valës së gripit të shpendëve, prodhimi shqiptar është i shëruar një vit pas epidemisë. Sektori i shpendarisë, i goditur vjet nga influenca aviare e gripit H5N8 ka arritur të zëvendësojë pa ndihmën e subvencioneve të shtetit 90% të shpendëve të dëmtuar, sipas ekspertëve të sigurisë ushqimore.

Rikuperimi i industrisë ka rikthyer prodhimin e lartë (kujtojmë se ndër vite, veza në Shqipëri ka pasur mbiprodhim). Por në tregun e brendshëm, kërkesa është tkurrur deri në 40% krahasuar me vjet nga emigracioni, ndërsa në tregun ndërkombëtar, çmimi i lartë i vezëve në bursë ka ndikuar në rritjen e eksporteve. Vite më parë, sipas ekspertëve, eksporti i vezëve shqiptare drejt Bashkimit Europian përdorej për reduktim të stokut, pra për të zbrazur magazinat për shkak të natyrës së produktit.

Aktualisht, kompanitë shqiptare pasi plotësojnë kërkesën vendase, po e eksportojnë pjesën tjetër të vezëve të freskëta në shtete, si Kroacia, Greqia dhe Serbia. Nga të dhënat e kompanive rezulton se në rang vendi, prodhimi vjetor i vezëve varion nga 270 deri në 300 milionë kokrra vezë në vit. Në vitin 2021, prodhimi i vezëve ka qenë me rritje krahasuar me vitin paraardhës.

Sipas bilanceve të dorëzuara në QKB, të ardhurat e shtatë kompanive kryesore të prodhimit të vezëve arrinin në 2,5 miliardë lekë, apo rreth 22 milionë euro. Xhiroja e kompanive në vitin 2021 u rrit rreth 3,5% më shumë se në 2020-n.

Prodhuesit ngrenë shqetësimin për tkurrje të lartë të konsumit në tregun e brendshëm, për shkak të emigracionit. Rënia e konsumit e ndikuar nga largimet, konsiderohet më e larta nga operatorët në 30 vitet e fundit.

“Konsumi brendshëm është në nivelet më të ulëta në këto 30 vjet si pasojë e emigrimit. Në raportet tona, rënia e konsumit shkon rreth 40%. Veza është produkt bazë. Shporta e artikujve ushqimorë ka shënuar rritje dhe për këtë arsye, konsumi i të gjithë artikujve ka pësuar rënie.

Edhe ndryshimi i çmimit të vezës ka ndikuar te konsumi, por jo tërësisht për këtë nivel të lartë rënie. Kryesisht vezët konsumohen nga të rinjtë dhe largimi i tyre reflektohet te konsumi i vezëve. Kjo dukuri nuk është vënë re vetëm te vezët, por edhe në industri të tjera në sektorin e produkteve ushqimore”, pohon Lilo Seraj nga kompania e vezëve “Ovvital”.

Rënia e konsumit theksohet edhe nga kompani të tjera, sipas të cilave, konsumi në Europë gjithmonë ka tendencë rritëse në raport me Shqipërinë, pasi konsumi për frymë i vezëve i europianëve është 3 herë më i lartë se ai i shqiptarëve dhe numri i popullsisë në këto shtete është më i lartë.

 

Rikuperimi i dëmeve të epidemisë
Në vitin 2022, pularitë nuk u mbështetën me subvencione nga shteti pas dëmit që shkaktoi në mars pandemia e gripit të shpendëve. Një nga operatorët u shpreh se dëmi i shkaktuar nga gripi i shpendëve llogaritet në 1,5
milionë euro.

Më herët, eksperti i menaxhimit të fermave blegtorale, Edi Ferro, vlerësoi se gripi i shpendëve shkaktoi ngordhjen e 500 mijë pulave në rang vendi, apo rreth 50% të pulave në stabilimentet e prodhimit të kompanive. Z.

Ferro rekomandoi se në këtë situatë ishte e nevojshme shpërndarja e subvencioneve nga shteti, me qëllim zëvendësimin e pulave, siç po veprohej në shtetet e tjera të prekura. Kompanitë paralajmëruan se koha e përshtatshme e zëvendësimit të pulave për prodhim varion nga 6 muaj deri në 1 vit, me kosto 3 deri në 5 euro për pulë.

Në total, sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 numëroheshin rreth 5,2 milionë pula në vend. Deri në mesin e muajit mars, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural u raportuan 380 mijë pula të ngordhura, apo rreth 8% humbje të pulave të gjalla.

Kompanitë llogarisin se në total, dëmi i shkaktuar nga gripi i shpendëve arrin në 20 milionë euro. “Dëmet e kompanisë sonë shkojnë mbi 1,5 milionë euro, pa llogaritur operatorët e tjerë që patën dëme të larta. Duhet kohë të rikuperohet ky dëm, pasi asnjë operator nuk mori kompensim nga shteti”, pohoi drejtuesi i një prej kompanive prodhuese.

Eksperti i sigurisë ushqimore, Artan Belegu, tha për “Monitor” se gati një vit pas valës së epidemisë së gripit të shpendëve që preku Shqipërinë, pularitë shqiptare kanë arritur të zëvendësojnë 90% të shpendëve të ngordhur.

“Kompanitë e prekura pastruan dhe dezinfektuan rrënjësisht të gjithë mjediset e mbarështimit të shpendëve, ritrajnuan punonjësit dhe kryen investime të rëndësishme për rimbushjen e kapanoneve të zbrazur me shpendë dhe prodhimit të vezëve.

Nga informacionet që zotërojmë sot janë zëvendësuar mbi 90% e shpendëve të dëmtuar. Aktualisht në të gjithë stabilimentet e prodhimit të vezëve janë rreth 1,100,000 shpendë në prodhim”.

Z. Belegu thotë se prodhimi shqiptar është shumë i sigurt, pasi fermat e prodhimit të vezëve monitorohen rregullisht nga Shërbimi Veterinar shoqëruar dhe me marrje mostrash e kryerje analizash për verifikimin e sëmundjeve që mund të kalojnë nga shpendët te njerëzit, nëpërmjet vezëve apo mishit të shpendëve.

Nga se po vjen rritja e lartë e eksporteve

Në vitin 2022, eksporti i vezëve në sasi u rrit 80% më shumë se në vitin 2021 dhe rreth 2,5 herë më shumë në vlerë. Rritja e eksporteve vijon edhe gjatë këtij viti.

Në muajin janar 2023, eksportet e vezëve janë trefishuar në raport me muajin janar 2022. Në 10 vitet e fundit, sipas të dhënave të Doganave, kjo është sasia më e lartë e eksportit të vezëve e shënuar në janar.

Për shkak të shtrenjtimit në vlerë të çmimit të vezëve në Europë, eksportet e janarit janë 4 herë më të larta se vjet./Monitor


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *