Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me strukturat e grave në Degës e Tiranës. Gjatë fjalës së tij, Meta u ndal te emigrimi i të rinjve, të cilët largohen nga vendi pasi në Shqipëri e kanë të vështirë të bëjnë një jetesë normale me paga të ulëta dhe çmime të larta.
Sipas Metës, Shqipëria nuk mund të arrijë nivelin e Europës në jetesë e përkrahje të qytetarëve nga qeveria, por mundet, së paku, t’i afrohet Kosovës e vendeve të tjera të rajonit, ku shton se janë mirë në këtë aspekt.
“Nuk mund të vazhdohet kështu pasi rrezikojmë të shpërbehemi si komb dhe shtet sepse është kërcënuar si asnjëherë tjetër familja shqiptare. Takojmë gra, nëna, që thonë se edhe fëmija i fundit iku për në Gjermani apo Angli sepse nuk mund të martoheshin, të jetonin, të blinin apartament, nuk përballohet jeta me këto rroga dhe me këto çmime marramendëse. Ikën për hir të fëmijëve, edhe pse mund të jenë në vende të mira pune. Për shkolla, për qetësinë, për sigurinë dhe kjo nuk mund të vazhdojë më tej. Nuk mund të bëjmë atë që bëjnë danezët, por pse të mos bëjmë atë që bëjnë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi? Nëse do t’i shikoni të gjitha statistikat, nuk ka statistika më të errëta. Një vend ku në mënyrë të qëllimshme nuk janë rritur pagat pensionet pasi po të ishin rritur do të ishte e vështirë të vidhej në këto përmasa, jo vetëm me aferën e inceneratorëve”, u shpreh Meta.