Gjykata e Beratit ka lënë në burg 30-vjeçarin Sokol Tabaku i cili dy ditë më parë, pas një konflikti masakroi në kokë e trup me sende të forta 40-vjeçarin Arjan Marini.
I plagosuri ndodhet në gjendje kome në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërkohë që mjekët e Spitalit Rajonal të Beratit konfirmuan pas dërgimit të të plagosurit tek Trauma se ai ka pësuar dëmtime në kafkën e kokës dhe në tru.
Prokurori i çështjes Ledion Tema, pasi ka paraqitur provat e nevojshme që e implikojnë Tabakun, i ka kërkuar gjykatës vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të tij dhe ka kërkuar për të masën e sigurisë “arrest me burg”.
Gjyqtarja Enetela Gjoni, pasi ka dëgjuar edhe pretendimet e avokatit mbrojtës, ka vendosur të vlerësojë “të ligjshëm” arrestimin e 30-vjeçarit Sokol Tabaku dhe ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest me burg”, me afat 60-ditë.
Avokati i Tabakut Shuaip Syri, ka deklaruar se klienti i tij është i pafajshëm dhe se nuk është ai autori i kësaj ngjarjeje të rëndë.
“Motra e të plagosurit Ermini Marini shprehet se vëllai i saj u gjet i masakruar dhe i mbuluar me gjak poshtë Urës së Goricës dhe gjendja e tij është e rëndë, ai ndodhet në koma. Erminia kërkon drejtësi për vëllain e saj dhe burg për kriminelin që e katandisi në këtë gjendje”, ka thënë ai.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së Shtunës në lagjen muzeale Goricë në Berat.
40-vjeçari Arjan Marini ishte takuar me 30-vjeçarin Sokol Tabaku për tu sqaruar, pasi ky i fundit kishte kohë që i ngacmonte vajzën Marinit. Duke i kërkuar ti linte të qetë vajzën ai është masakruar me grushte, shkelma e sende të forta nga Tabaku, që pasi e ka lënë të shtrirë në tokë e të mbuluar me gjak është larguar nga vendngjarja. Kanë qenë disa banorë të lagjes që e kanë pikasur 40-vjeçarin pa ndjenja dhe me gjak në tokë dhe kanë njoftuar policinë.
I plagosuri u transportua fillimisht drejt Spitalit Rajonal të Beratit por, për shkak të goditjeve dhe dëmtimeve të shumta në kokë, ai u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje kome.
Policia e Beratit mësohet se e ka arrestuar 30-vjeçarin Sokol Tabaku në banesën e tij për plagosjen e Marinit. I arrestuari Sokol Tabaku njihet prej vitesh në Berat si konsumues i rregullt i lëndëve narkotike, njeri problematik dhe i arrestuar e dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale.
Po kështu, edhe i plagosuri Arjan Marini njihet si person me precedent të mëparshëm penal. Në 15 Prill 2021,ai së bashku me vëllezërit e tij Gerald dhe Marjus Marini, pas një konflikti, plagosën me armën e punës efektivin e policisë Juljan Xhelilaj.
Efektivi i policisë ndërhyri për të qetësuar situatën por 3 vëllezërit tentuan t’i merrnin armën dhe gjatë konfrontimit, arma iu shkrep në brez dhe plagosi policin.
I plagosuri Arjan Marini, ndodhet në koma në Spitalin e Traumës, kishte shkuar ti kërkonte Tabakut ti linte të qetë vajzën por u masakrua prej tij. Sakaq motra e tij kërkon drejtësi.