Falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe autoriteteve të huaja ligjzbatuese, është bërë e mundur arrestimi dhe ekstradimi i katër shtetasve të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të gjykatave shqiptare.
Konkretisht është arrestuar në Itali shtetasi Bekim Lekaj, pasi rezulton i dënuar me 8 vite e 2 muaj burg për vjedhje. Po ashtu në prangat e policisë gjermane ra Romario Kapidani, 28 vjeç, banues në Durrës, pasi është dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Po ashtu nga autoritetet gjermane është bërë e mundur të arrestohet shtetasi Ervis Martini alias Ervis Krasniqi, 29 vjeç, pasi akuzohet për plagosje. Ndërsa në Francë është prangosur Deivis Jaho, i dënuar për vjedhje.
Njoftimi i Policisë:
Vijon bashkëpunimi me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit me homologët europianë janë kapur në Itali, Gjermani dhe Francë, si dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë, 4 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
٠Në kuadër të bashkëpunimit me homologët italianë, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Italia, shtetasi shqiptar:
Bekim Lekaj, 30 vjeç, banues në Tropojë.
Këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër e ka dënuar me 8 vjet, 2 muaj e 10 ditë burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.
٠Nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Stuttgart, Gjermani, drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar:
Romario Kapidani, 28 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 8 muaj burgim.
٠Gjithashtu, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Dusseldorf, Gjermani, shtetasi shqiptar:
Ervis Martini alias Ervis Krasniqi, 29 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
٠Në vijim të bashkëpunimit me homologët francezë, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Parisi, Francë, shtetasi shqiptar:
Deivis Jaho, 30 vjeç, lindur në Kamzë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Zyrat Qendrore përkatëse të Interpol-it në Europë, u bë i mundur arrestimi i këtyre shtetasve, si dhe u finalizua ekstradimi i tyre drejt vendit tonë, me qëllim vuajtjen e dënimit.