Dy doganierë janë arrestuar në doganën e Kapshticës.
Burime për median bëjnë me dije se të arrestuarit janë kontrollorët Denis Manoku dhe Ardian Prenja, pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke kryer falsifikime kompjuterike.
Mësohet se falsifikimet janë kryer në regjistrimet fiktive për mjete me targa të huaja. Operacioni është ende në vijim, ku pritet të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” në ngarkim të punonjësve të policisë:
– Inspektor Ardjan Prenja, me detyrë Nd/ Specialist Kontrollor në PKK Kapshticë.
– Inspektor Denis Manoku, me detyrë Nd/ Specialist Kontrollor në PKK Kapshticë.
Ndalimi i punonjësve të mësipërm të policisë është kryer në kuadër të procedimit penal nr.520 viti 2022, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet tip Audi A7 me targa angleze, si dhe aparatë celularë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin dhe aksesin në sistemet informatike të Policisë së Shtetit, me veprime në kundërshtim me ligjin, me dashje direkte dhe në mënyrë të përsëritur, kanë kryer regjistrime fiktive në sistemin TIMS, duke favorizuar një shtetas në shmangien e detyrimeve doganore që rrjedhin nga trajtimi me regjim të përkohshëm të mjeteve me targa të huaja që futen dhe qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë. Sipas përcaktimeve ligjore, këto detyrime arrijnë në vlerat 50.000 deri në 200.000 lekë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.