Dy persona janë arrestuar në Tropojë, pasi kultivonin lëndë narkotike.
Shtetasit Gjevalin Dedndreaj dhe Agmi Progni dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike në zona të ndryshme.
Sakaq janë proceduar në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit dhe inspektori i pyjeve pasi akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”
Njoftimi i policisë:
Kontrolle intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në terren të hapur dhe në terren të mbyllur. Finalizohet operacioni policor i koduar “Interrupt”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Tropojë.
Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, ndalohen 2 autorët e dyshuar, shpallen në kërkim 2 të tjerë. Procedohen në gjendje të lirë kryetari i fshatit dhe inspektori i pyjeve, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, pas një hetimi 2-mujor, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në njësinë administrative Lekbibaj, ishin kultivuar bimë narkotike kanabis, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Interrupt”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve:
- D., 53 vjeç, banues në Tiranë dhe A. P., 42 vjeç, banues në fshatin Salcë.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit R. P., 31 vjeç, banues në fshatin Salcë dhe A. S., 40 vjeç, banues në Tiranë. Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike në zona të ndryshme, në njësinë administrative Lekbibaj. Në vijim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit: N. R., me detyrë kryetar i fshatit Palç dhe Gj. P., me detyrë inspektor i pyjeve dhe mjedisit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.