Bandat shqiptare në Ekuador janë fuqizuar së tepërmi kohët e fundit, duke arritur të marrin një kontroll gjithnjë e më të gjerë në tregtinë e drogës. Sipas mediave të huaja mafia shqiptare ka arritur të shtrijë tentakulat edhe në politikën e vendit të Amerikës Latine dhe emërojnë “të besuarit” në postet qeveritare.
Media ekuadoriane “La Posta” prezantoi një raport policor që do të lidhte shtetasin Rubén Chérrez me strukturën kriminale të njohur si ‘mafia shqiptare’, një organizatë kriminale ndërkombëtare e lidhur me trafikun e drogës.
Bëhet fjalë për shqiptarët: Mario Vani, Blerim Dibra dhe Erjon Spahiu, disa prej të cilëve kanë marrë edhe identitet të huaj, psh: HD Dibra; HD Barboso; HD Maximo, ndërsa liderët janë HD Gran Hermano (Vëllai i madh) Dritan Gjika dhe HD Baron, emri i këtij të fundit nuk dihet.
Në artikullin e publikuar sot, saktësohet se raporti ka 145 faqe dhe se do t’u dërgohet autoriteteve dhe instancave të ndryshme të drejtësisë, Kuvendit Kombëtar dhe mediave ndërkombëtare për të ditur detajet e hetimit dhe ndërhyrjet në emërimin e ministrave të Ekuadorit.