Katër persona janë arrestuar në Tiranë, pasi u kapën me mallra kontrabandë.
Në pranga kanë rënë shtetasit Besmir Muja, Artan Kovaci, Aranit Kercuku dhe Besjan Islamaj.
Njoftimi i policisë:
Sekuestrohen mallra dhe veshje të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara. Vihen në pranga 4 shtetas që bashkëpunonin për transportimin dhe tregtimin e këtyre mallrave. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Free road 3”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– B. M., 33 vjeç, banues në Kukës, A. K., 41 vjeç, banues në Tiranë;
– A. K., 34 vjeç, dhe B. I., 33 vjeç, të dy banues në Tiranë, administratorë të dy subjekteve tregtare.
Shërbimet e Policisë, në rrugën “5 Maji”, kanë lokalizuar dhe ndaluar furgonin me drejtues shtetasin B. M. dhe pasagjer shtetasin A. K. Gjatë kontrollit të furgonit u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra të dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, pa pullë fiskale, të cilat do t’i merrnin shtetasit A. K., dhe B. I.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.