Nënë e bir janë arrestuar ditën e sotme në Elbasan për trafik të lëndëve narkotike.
Mësohet se në pranga kanë rënë Franko Elmazi ,31 vjeç dhe Rezarta Isufaj, 48 vjeç.
Gjatë arrestimit të tyre janë gjetur dhe sekuestruar 400 doza kanabis gati për shitje si dhe 1.5 kg të tjera po me qëllim shitje. Po ashtu janë sekuestruar dhe 3 telefona celular.
Njoftimi i Policisë:
Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Connection”. Mbanin në banesë, lëndë narkotike me qëllim shitjen, në sasi dhe në doza, arrestohen në flagrancë 2 shtetas (nënë e bir).
Sekuestrohen 400 doza të lëndës narkotike kanabis, 1.5 kg të kësaj lënde dhe 3 celularë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Elbasan, si rezultat i punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Connection”.
Si rezultat i këtij operacioni, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit F. E., 31 vjeç dhe R. I., 48 vjeçe (nënë e bir), të dy banues në Elbasan. Gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën 400 doza të lëndës narkotike kanabis dhe 1.5 kg të kësaj lënde, të cilat mbaheshin nga të arrestuarit, me qëllim shitjen.
Dozat dhe sasia e lëndës narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 celularë. Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.