Të tjera detaje kanë dalë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në rrugën “Drenica” në Podujevë të Kosovës, në 14 janar, ku 18-vjeçari Lulzim Fejzullahu u godit me makinë dhe u rrah brutalisht me shufra hekuri nga dy të rinj. Pas vdekjes së tij dy ditë më parë në QKUK, pasi nuk i mbijetoi dot plagëve të marra, është mësuar se autorët e ngjarjes së rëndë janë Eltion Kadriu 16 vjeç dhe Artiol Abdullahu 17 vjeç.
Sipas mediave të Kosovës, dy adoleshentët janë djem biznesmenësh në Podujevë. Besim Kadriu babai i 16-vjeçarit ka në pronësi një biznes makinash me qira, ndërsa Medin Abdullahu babai i 17-vjeçarit është pronar i një kompanie “security”.
Ndërkohë, viktima ishte jetim dhe nuk kishte as nënën e as babanë, por vetëm motrën. Po ashtu mësohet se shkak për konfliktin është bërë radha për t’u qethur në një berberhane.