Gjykata ka dhënë vendimin për një grup shqiptarësh që tregtonte heroinë në Zvicër, i cili u zbulua në vitin 2018 nga Guardia di Finanza.
Mediat italiane raportojnë se pjesë e këtij rrjeti është Altin Braho, 40 vjeç, banues në Como, Renato Burreli, 34 vjeç nga Luça, i cili u ndalua në Como në nëntor 2013 me 200 kilogramë marihuanë të fshehura në furgonin e tij dhe i dënuar me 4 vjet burg.
Ndërkohë, me 4 vjet burg është dënuar Dorian Daku, 52 vjeç, ndërsa pas hekurave janë dhe Gentian Prifti, 45 vjeç dhe Arjol Rehxo, 39 vjeç, të dy banues në Shqipëri. Me 3 vite burg është dënuar Arjan Zejno, 53 vjeç, 2 vite e 10 muaj për Tomor dhe Alban Shehun, 84 e 54 vjeç, babë e bir. Ndërsa me dy vite burg u dënua Adelina Tafa, 34 vjeç dhe Elton Xherri, 41 vjeç.
Nga hetimet rezulton se ky grup kriminal ka bërë transferta dhe kalime tranzite të drogës me sasi nga 1 deri në 30 kilogramë, aktivitet për të cilin të dyshuarit mblidheshin herë pas here në grupe nga tre apo katër persona, ku kishin detyra të ndryshme, që nga transporti, fshehjeje apo shpërndarjeje të lëndës.
Dy shqiptarë janë ende të pagjurmueshëm, mes tyre është dhe emri i Mariglen Memës, 35-vjeçari që mbeti i vrarë me kallashnikov në një lokal në Vlorë, ku po pinte kafe. Vrasja ndodhi në të njëjtën periudhë në të cilën përfunduan hetimet ndaj tij në Itali.
Mema u vra nga një bashkatdhetar 33-vjeçar, i njohur për policinë italiane si i përfshirë në trafik droge. Hetimet zbardhën faktet se si ky grup kriminal ishte përgjegjës për ngarkesa të shumta me lëndë narkotike në Itali dhe Zvicër, ndërsa gjatë aksioneve për kapjen e tyre u sekuestruan 450 kilogramë marihuanë, 10 kg heroinë dhe 200 të tjera lëndë të destinuara për përgatitjen e heroinës. Sipas hetimeve, të dyshuarit importonin drogë nga Shqipëria për ta rishitur më pas në Itali dhe Zvicër, duke përdorur metoda të koduara komunikimi dhe sisteme komplekse për fshehjen e ngarkesave.