Një shtetas 32-vjeçar i identifikuar si Mariglen Gashi ka rënë në prangat e Policisë së Lushnjes pasi akuzohet se ka kryer një sërë vjedhjesh. Ai rezulton të jetë dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale. 32-vjeçari ka grabitur 4 koshere blete, 2 bateri mjetesh si dhe dyert e dritaret e një banese. Vjedhjet kanë ndodhur gjatë muajit janar dhe shkurt.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin e rasteve të vjedhjes së pronës e pasurisë dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një shtetas që kishte kryer disa vjedhje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tij. Si rezultat i punës së mirorganizuar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë kapën dhe ndaluan shtetasin M. G., 32 vjeç, banues në Plug, Lushnjë (i dënuar disa herë për vjedhje).
Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe provat e sekuestruara, dyshohet se 32-vjeçari është autor i disa vjedhjeve, konkretisht:
Më datë 18.01.2023, në lagjen “18 tetori”, ka vjedhur 4 koshere blete, në pronësi të shtetasit B. Gj.;
Më datë 07.02.2023, në lagjen “18 tetori”, Lushnjë, ka vjedhur baterinë e automjetit të shtetasit G. T.;
Më datë 12.02.2023, në lagjen “18 tetori”, Lushnjë, ka vjedhur bateritë e mjeteve bujqësore të shtetasit A. H.;
Më datë 14.02.2023, në fshatin Plug, ka vjedhur dyer dhe dritaret e banesës së shtetases A. Q.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprime të mëtejshme.