Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal Nr. 49 të vitit 2021, për veprat penale “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga nenet 259 dhe 244 të Kodit Penal.
Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit.
Në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi I.K., me detyrë Inspektor i Shqyrtimit të Dosjeve pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, të paktën në katërmbëdhjetë raste u ka marrë qytetarëve të ndryshëm, trashëgimtarë të ish pronarëve, shuma parashë në shkëmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës.
Shtetasi I.K. dyshohet se ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal në katërmbëdhjetë raste, ndërkohë që shtetasit D.L., Xh.V., G.T., D.D., L.A., A. H., J.Z., V.B. dhe A. G., dyshohet se kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 20 datë 16 Mars 2023 ka vendosur
Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin, I.K. si person i dyshuar për kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga nenet 259 i Kodit Penal (katërmbëdhjetë herë).
Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasit D.L. dhe G., si persona të dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 I Kodit Penal;
Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasit XH.V., G.T., D.D., L.A., A.H., J.Z. si persona të dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal;
Caktimin e masës së sigurimit personal “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parshikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim B. si person i dyshuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.
Masat e sigurimit për shtetasit e sipërcituar, janë ekzekutuar në datën 20 Mars 2023, ndërkohë që është shpallur në kërkim shtetasi A.G.