32-vjeçari Eduart Lleshi ka rënë në prangat e policisë së Lezhës i dyshuar si autor i disa vjedhjeve në qytet. Policia ka sekuestruar gjithashtu edhe një armë zjarri kallashnikov, 2 krehra armë dhe 155 fishekë luftarak, që u gjetën në banesën e tij pas një kontrolli të ushtruar nga policia e Lezhës.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Blinishti” sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Autor i dyshuar i disa vjedhjeve, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari që mbante në banesë, 1 armë zjarri kallashnikov, krehra armësh dhe qindra fishekë luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, si rezultat i punës operacionale në terren, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, për zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe për vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Blinishti”
Si rezultat i këtij operacioni, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. Ll., 32 vjeç, banues në Blinisht, Lezhë.
Gjatë kontrollit në banesën e 32-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov, 2 krehra arme dhe 155 fishekë luftarak.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë rast, dyshohet që shtetasi E. Ll. është gjithashtu, autor i vjedhjeve të materialeve, në 3 banesa në fshatra të ndryshme të Lezhës, vjedhje të kryera në datat 02.12.2022, 17.12.2022 dhe 14.02.2023.
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.