Nënkryetari i Bashkisë së Pogradecit ka dhënë dorëheqjen nga detyra ditën e sotme.
Burime për mediat bëjnë me dije se bëhet fjalë për Johan Sterjon, vëllain e Viola Sterjos, e cila u arrestua pak ditë më parë pasi kishte mashtruar qytetarët për grante përmes skemës së AZHBR.
Mësohet se Sterjos i është kërkuar të lërë këtë post dhe pas kësaj ai ka marrë këtë vendim. Aktualisht Johan Sterjo vazhdon të jetë drejtor i Ujësjellësit, ndërkohë dega e PD-së në këtë qytet ka kërkuar largimin e tij nga posti i drejtorit.
Johan Sterjo në vitin 2021 zuri vendin e Bledi Çomos si nen kryetar i Bashkisë Pogradec duke mbajtur njëkohësisht dhe postin e drejtorit të ujësjellësit të Pogradecit.
Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, Viola Sterjo, dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti.
Sterjo prej një muaji mbante postin e drejtoreshës së Mjedisit në bashkinë e Tiranë, ndërkohë vepra penale për të cilën akuzohet ka ndodhur gjatë kohës kur ka qenë drejtoreshë në Ministrinë e Turizmit.
Njoftimi i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetases V. S., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.
Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.12.2022, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, V. S., dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.