Një 49-vjeçar është arrestuar nga forcat RENEA në Shkodër.
Shtetasi Agim Gjata ishte dënuar më parë për vrasje, ku gjatë momentit të arrestimit ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë.
Sakaq uniformat blu kanë sekuestruar 2 armë zjarri, kallashnikov dhe pistoletë, municion luftarak dhe dylbi.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Neutralizimi”, për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me rekorde të theksuara kriminale, në fushat e krimeve ndaj personit dhe të armëmbajtjes pa leje. Qëlloi me armë zjarri ndaj shërbimeve të Policisë në momentin e ndërhyrjes për kapjen e tij, falë profesionalizmit të shërbimeve të Forcës Speciale RENEA, neutralizohet dhe vihet në pranga 49-vjeçari.
49-vjeçari ishte i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe ishte i dënuar më parë për vrasje.
Sekuestrohen 2 armë zjarri, kallashnikov dhe pistoletë, municion luftarak dhe dylbi.
Shërbimet e Policisë Kriminale të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë të Vau Dejës, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën informative, se një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, po futej në banesë, kanë finalizuar, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, operacionin policor të koduar “Neutralizimi”. Në momentin që shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën dhe i kanë bërë thirrje shtetasit, në emër të Policisë së Shtetit, për t’u dorëzuar, 49-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë.
Me ndërhyrjen profesionale dhe në zbatim të ligjit, të shërbimeve të Forcës Speciale RENEA, u bë i mundur neutralizimi i shtetasit që qëlloi me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë. Si rezultat i operacionit “Neutralizimi” u kap dhe u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, A. Gj., 49-vjeç, banues në Barbullush, i dënuar më parë për vrasje. Shërbimet e Forcës Speciale RENEA i kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe gjatë kontrollit, i kanë gjetur dhe i kanë sekuestruar 49-vjeçarit edhe një armë zjarri tjetër pistoletë dhe një palë dylbi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.