Kreu i PD, Sali Berisha ka komentuar bashkëpunimin e tij me presidentin Ilir Meta në lidhje me protestat por edhe akuzat që i bëhen këtij të fundit si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Berisha tha se është në komunikim të vazhdueshëm me Metën për protestat, si dhe akuzat ndaj tij janë një akti i Ramës.
Sakaq shtoi se kryeparlamentarja Lindita Nikolla është shfrytëzuar nga Rama, ku sipas tij kjo e fundit ka shpifur mbi presidentin.
“Me Metën jam në komunikim të vazhdueshëm. Takimet janë të mundshme në çdo moment për një bashkim të fuqishëm.
Problemi më i madh i opozitës është se Rama po shuan legjimitetin e votës së lirë. Pas verifikimit të dokumenteve unë deklarova se gjithçka është një trillim i Ramës, pasi është në panik. Rama po përdor shpifjen e trillimin kundër kundërshtarëve. Nuk ka akt më të shëmtuar, e ka stisur në mënyrën më të trashë. Kushdo që lexon emailin, e kupton se është Ilir Murati nga Librazhdi, nuk ka asnjë lidhje me Metën. Rama ka shfrytëzuar në mënyrë më të shpifur kryetaren e autoritetit apo Nikollën. Në dokumentin që Genta Sula i drejton Nikollës, akuzon direkt Metën. Një akt i pashembull. Kjo zonjë është shfrytëzuar nga Rama për arsye që i di vetë, por që do zbardhen. Për herë të parë në jetën e saj, Linda e parlamentit del dhe i tha shqiptarëve se jam e tronditur. Histori të turpshme, nuk ka kriterin e një zyrtari”, tha ai.