Një 33-vjeçar është arrestuar në Morinë, pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Shkelje e ligjit të narkotikëve”.
Shtetasi Aleksandar Vukicevic rezulton i dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Shkelje e ligjit të narkotikëve”, parashikuar nga legjislacioni penal i Malit të Zi.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Mali të Zi, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Shkelje e ligjit të narkotikëve”.
Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Aleksandar Vukicevic, 33 vjeç, banues në Podgoricë, Mali i Zi.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga NCB Podgorica, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Podgoricë e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Shkelje e ligjit të narkotikëve”, parashikuar nga legjislacioni penal i Malit të Zi. Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Malit të Zi. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet malazeze, vijon procedurat për esktradimin e këtij shtetasi.