Një 30-vjeçar është arrestuar në Lezhë, pasi rezultonte i shpallur në kërkim .
Shtetasi Gjergj Ndreca ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata e Lezhës kishte vendosur masën e sigurisë arrest me burg prej qershorit të vitit të shkuar për akuzën e prodhimit të lëndëve narkotike.
Sakaq janë proceduar në gjendje të lirë dy shtetasit me iniciale E. N., 22 vjeç dhe E. N., 25 vjeç pasi akuzohen veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.
Shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në informacionet policore, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e personit të kërkuar:
Gj. N., 30 vjeç, banues në Kalivaç, Lezhë, i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këtë vepër penale. Bazuar në informacionet e siguruara se ky shtetas ishte pasagjer në mjetin me drejtues E. N., shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë lokalizuar mjetin dhe i kanë bërë shenjë ndalimi. Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe është larguar më shpejtësi me mjetin në të cilin ishin pasagjerë vëllai i tij, shtetasi E. N., 25 vjeç dhe shtetasi i shpallur në kërkim Gj. N.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet procedurale në Prokurori, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit E. N., 22 vjeç dhe E. N., 25 vjeç, banues në Lezhë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime mëtejshme.