Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Korçë, pasi ka tentuar të vrasë një person për hakmarrje.
Burime për median bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur para dy vitesh në një lokal në Gjermani, ku Daniel Hajro gjatë tentativës për vrasje ka plagosur një person tjetër.
Gjykata kishte caktuar ndaj tij masën e arrestit me burg dhe ishte shpallur në kërkim policor.
Njoftimi i policisë
Korçë, Tiranë dhe FAST Albania
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Wanted”, për kapjen e një shtetasi të kërkuar për vrasje me paramendim, për hakmarrje, mbetur në tentativë dhe plagosje të rëndë me dashje.
Operacioni, i zhvilluar si rezultat i bashkëpunimit intensiv ndërmjet DVP Korçë, DVP Tiranë, FAST Albania dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Kapet dhe ndalohet 33-vjeçari me masë sigurie “Arrest në burg”, si autor i dyshuar i një ngjarjeje të ndodhur para 2 vitesh, në Gjermani.
Specialistët e strukturave hetimore dhe operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me FAST Albania, DVP Tiranë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, si dhe bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një të kërkuari për krime kundër jetës dhe shëndetit, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Wanted”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit:
– D. H., 33 vjeç, banues në Korçë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 17.09.2022, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje, mbetur në tentativë dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, në lidhje me një ngjarje të ndodhur më datë 18.05.2020, në një lokal në Gjermani, ku 33-vjeçari ka tentuar të vrasë me armë zjarri një person dhe ka plagosur rëndë një tjetër.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.