Një 32-vjeçar është arrestuar në Shkodër, pasi kultivonte bimë narkotike në banesë.
Shtetasit Marçel Shpijati i është sekuestruar 20 fidanë, bimë në proces tharjeje dhe kanabis me peshë rreth 1.2 kg.
Njoftimi i policisë:
Shkodër – Vijon megaoperacioni policor i koduar “Qarku”, finalizohet faza e shtatë. Shkon në 34 numri i të arrestuarve. Kishte përshtatur një dhomë të banesës së tij, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave elektrike, arrestohet në flagrancë 32-vjeçari. Sekuestrohen gjatë fazës së shtatë: armë, drogë, fidanë narkotikë të kultivuar dhe bimë narkotike në proces tharjeje.
Në vijim të megaoperacionit policor të koduar “Qarku”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, mbështetur dhe në inteligjencë informative, kanë finalizuar fazën e shtatë të këtij operacioni, si rezultat i së cilës është evidentuar dhe goditur një rast i përshtatjes së ambienteve të banesës, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave elektrike. Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit M. Sh., në Dajç, Shkodër, në të cilën shërbimet e Policisë kanë evidentuar një dhomë që ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave elektrike. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në ambientet e banesës kanë gjetur 20 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në vazo plastike, bimë të dyshuara narkotike në proces tharjeje dhe lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë rreth 1.2 kg, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me pajisjet elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të kësaj banese është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë. Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë pronari i banesës, shtetasi M. Sh., 32 vjeç, banues në Dajç, Shkodër dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.