Është lënë i lirë ish-specialist në sektorin e hartografisë në ASHK Sarandë, Erliton Ymeri i cili akuzohej për veprat penale “Shpërdorim detyre”, prej 24 marsit.
Burime për median bëjnë me dije se Gjykata e Apelit në Gjirokastër ka zëvendësuar masën e sigurimit nga ata në ‘burg’ për ‘arrest në shtëpi’.
37-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 4 kolegët e tjerë kishte legalizuar dhe hipotekuar një lokal në zonën turistike të Sarandës, ndonëse ky i fundit kishte urdhër-prishje të IMT-së.
Prej shkurtit të këtij viti, Prokuroria e Sarandës në tre raste dhe SPAK në një rast tjetër, nxorën 19 urdhër arreste për zyrtarë, biznesmenë e qytetarë të ndryshëm në lidhje me shkelje për çështje pronash në Sarandë.
Nga këto urdhër arreste me masë sigurimi “Arrest në burg” u ekzekutuan 12 prej tyre, ndërsa 7 u shpallën në kërkim. Por aktualisht, me vendime të ndryshme të Gjykatave, vetëm 4 ndodhen në masë “Arrest në burg”, 2 në “Arrest në burg me afat 45 ditë” nga të cilat u kanë mbetur edhe dy javë deri në rivlerësim të masës së sigurimit, 6 në “Arrest në shtëpi” dhe 7 në kërkim.