Policia e Vlorës ka vënë në pranga një nga autorët e dyshuar të masakrës së Çoles.
U bë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Ani Begaj.
Begaj ka qenë duke udhëtuar së bashku me një tjetër person në automjet, në zonën e Lungomares.
Policia ka bërë thirrje që të ndaloni por dy personat nuk i janë përgjigjur thirrjes dhe kanë vijuar të largohen.
Autoritetet policore më pas kanë bërë të mundur ndalimin e tyre në një nga rrugicat e qytetit, ku është kryer edhe arrestimi i Begajt.
Historia e masakrës
Ato vrasje ndezën një seri atentatesh për hakmarrje. Një zënkë adoleshentësh pas një feste ditëlindjeje, përfundoi me atë që konsiderohet “masakra e Çoles”, me tre të vdekur dhe tre të dënuar me burgime të gjata, njëri me të përjetshëm dhe dy të tjerë me nga 35 vjet. Për këtë ngjarje u akuzuan dhe dënuan Aleksandër Llanaj, me burgim të përjetshëm, si edhe Bertil Aliaj e Ani Begaj me nga 35 vjet burgim.
Procesi gjyqësor ndaj tyre u shoqërua me polemika të shumta. Pasi Gjykata e Shkallës së parë dhe e Apelit të Vlorës kishte dhënë dënimet maksimale për tre të akuzuarit, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë gjykimit në Gjykatën e Lartë, kërkoi të tërhiqej nga akuzat.
Familjarët e viktimave reaguan ashpër për zbutjen e akuzave në Gjykatën e Lartë, gjë e cila detyroi Prokurorin e Përgjithshëm të asaj kohe të zëvendësonte prokurorin e çështjes. Pas zëvendësimit të tij, prokuroria u përfaqësua nga Drejtori i Hetimit, Adnan Xholi, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimeve të shkallëve më të ulëta.
Më pas, Gjykata e Lartë konfirmoi dënimet e rënda për Llanajn, Aliajn dhe Begajn. Ky episod është shoqëruar me të tjera ngjarje të përgjakshme. Në maj 2017, vritet në qendër të Vlorës biznesmeni dhe pronari i “TV Vlora”, Erven Hyseni. Në atë atentat vritet në mënyrë aksidentale edhe drejtori i OSSHE-së për rajonin e Vlorës, Roland Saliu.
Atentati dyshohet se u krye për shkak se Hyseni, i afërm me një prej viktimave në “masakrën e Çoles”, Haki Rakipaj, përdorte televizionin e tij për të goditur Llanajt. Ky version nuk u provua, megjithëse dyshimet janë të forta për këtë linjë.
Rreth 4 muaj më pas, në tetor 2017, tre anëtarë të familjes Llanaj plagosen në zonën e rrugës Transballkanike, pranë qendrës së Vlorës. Shënjestra ishte Aleksandër Llanaj, vëllai i të dënuarit përjetë, Ferdinand Llanaj. Bashkë me Ferdinandin, në këtë atentat plagoset edhe djali i tij 8-vjeçar, si edhe miku i familjes, Dritan Begaj.
Një prej personave të dyshuar për këtë ngjarje, është Armando Sulejmani (Çipuri). Ndaj tij, Gjykata e Vlorës kishte nxjerrë masë sigurimi “arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, mbetur në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Në verën e vitit 2018, një i ri nga Vlora, Albano Xhaferraj rrëmbehet në qytetin e Vlorës dhe prej tij nuk ka më asnjë gjurmë.
Një person, i cili konsiderohet si “i penduar” i drejtësisë, ka pretenduar se Albano Xhaferraj është rrëmbyer dhe vrarë nga disa persona, bashkëpunëtorë të një tjetër emri të njohur të botës së krimit në Vlorë, Edison Harizaj.
Sipas këtij “dëshmitari” Albano Xhaferraj, është rrëmbyer dhe më pas vrarë, për shkak se ka qenë dëshmitar dhe ka njohur atentatorët e plagosjes së Aleksandër Llanajt. Edhe ky version, ende nuk është zyrtarizuar nga institucionet hetimore.
Pak muaj pas këtij episodi, në nëntor 2018, vritet në periferi të Durrësit, Edison Harizaj dhe miku i tij, Gent Caci. Ata gjendeshin në bordin e një makine tip “Audi A8”, kur dy makina u kanë zënë pritë dhe i kanë qëlluar për vdekje. Ngjarja e Durrësit vijon të jetë pa autor, pavarësisht se policia ngriti dyshimet e para dhe më të forta tek hakmarrja e Llanajve.
Më 14 janar të vitit 2019 plagoset Mikel Mehmetaj. Ai njihej për lidhje me fisin Llanaj. Sërish policia gjeti vetëm një automjet të djegur. Burimet nga policia, dyshojnë se atentati ka lidhje me serinë e vrasjeve të nisur në vitin 2015. Mesditën e të dielës në datën 17 shkurt 2019, plagoset në atentat, nga persona ende të paidentifikuar, Armando Sulejmani (Çipuri), i dyshuari kryesor për plagosjen e Ferdinand Llanajt dhe të birit të tij të mitur.
Dy miqtë e Çipurit, Arjan Hasani dhe Orest Hoxha, mbetën të vdekur, ndërsa Sulejmanin, të cilin policia e kishte shpallur në kërkim, e gjetën kundërshtarët e tij.
Arsyeja e zënkës banale mes të rinjve në prillin e vitit 2015, tani është harruar, por pasojat e serisë së vrasjeve për hakmarrje, që la pas ai konflikt në një sallë bastesh, po vijon të prodhojë viktima në qytetin e Vlorës.