Një 24-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane sapo ka zbritur në aeroportin “Fontanarossa” në Katania.
I riu i identifikuar si Rafaelo Beqaj akuzohet se ka përplasur për vdekje një 16-vjeçar më 18 dhjetor në Acireale.
Hetimet e koordinuara nga prokuroria e Etnas dhe Komisioneri i Acireale, nisën menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit, pas përplasjes mes një makine Audi Q8, e drejtuar nga Rafaelo Beqaj dhe një motoçiklete.
24-vjeçari shqiptar vinte nga rruga “Corso Italia” me shpejtësi të madhe dhe ka përplasur motoçikletën e drejtuar nga viktima. 16-vjeçari Daniele Cantale Garano nga forca e përplasjes ka “fluturuar” disa metra larg dhe ka ndërruar jetë menjëherë për shkak të plagëve të rënda të marra.
Policia ka rikonstruktuar dinamikën e aksidentit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë, duke konstatuar se ndaj shqiptarit rëndon një akuzë e rëndë. Mbi bazën e tyre gjyqtari paraprakisht ka dhënë masën e sigurisë ndaj 24-vjeçarit që u ndalua sapo u kthye nga Shqipëria, në aeroportin “Fontanarossa”.