Një plagosje me armë ka ndodhur në mesnatën në Kuçovë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “1 Maji”, ku autori me inicialet L.S ka qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të Donal Grymshit.
Raportohet se i plagosuri është transportuar në gjendje të rëndë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pasi ka marrë ndihmë e parë mjekësore është transportuar drejt Traumës në Tiranë.
Mjekët e spitalit të Beratit konfirmojnë se i plagosuri kishte humbur shumë gjak dhe ishte në gjendje kritike për jetën. Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes dhe motivi se përse 24-vjeçari i plagosur Donald Grymshi ndodhej në qytetin e Kuçovës mesnatën e djeshme, pasi është shtetas me banim në Tiranë.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, që po kryejnë edhe kqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që po punohet për kapjen e autorit, që pas plagosjes u largua nga vendngjarja.