Detaje të reja kanë dalë nga megaoperacioni i koduar ‘Porositësi’ në Durrës, ku deri më tani kanë rënë në prangat 14 persona dhe 5 janë shpallur në kërkim.
Burime për median bëjnë me dije se mes të arrestuarve është dhe një polici i Burgjeve, Flamur Bejko. Mësohet se Bejo ka paguar dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqirajn me 3500 paradhënie për të ekzekutuar dy persona me të cilët, punonjësi i policisë së Burgjeve kishte konflikt.
Raportohet se dy personat të cilët do të vriteshin nga vëllezërit Beqiraj janë shtetasit me iniciale S.Z dhe I.H., pasi kanë rrahur policin e burgjeve dhe ky në shenjë hakmarrje donte t’i eliminonte fizikisht.
“Gjithashtu, dy vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur edhe nga shtetasi F. B., që kundrejt pagesës të kryenin vrasjen e shtetasve S. Z. dhe I. H. Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngjarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022”, thuhet në njoftimin e policisë.