Prokuroria Tiranë ka sekuestruar këtë të mërkurë një shumë prej 232.000 lekësh, pasi u zbulua se ishin të falsifikuara.
Mësohet se shtetasi Reshit Kurteshi i falsifikonte këto para në prerje të ndryshme.
Sakaq i moshuari është arrestuar nën akuzën për veprën penale “falsifikimi i monedhave”.
Njoftimi i plotë:
Falsifikimi i monedhave, Prokuroria Tiranë sekuestron 232.000 lekë të prerjeve të ndryshme, një i arrestuar. Në kuadër të procedimit penal nr.6877/2022, është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nr.12258, datë 28.10.2022, për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” për shtetasin R. K., lindur dhe banues në Tiranë. Ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër për të cilin po punohet për identifikimin e tij, janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “falsifikimi i monedhave” nga neni 183/2 i Kodit Penal.
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së bashku me shërbimet e policisë gjyqësore kanë bërë dokumentimin e këtij aktiviteti të paligjshëm si dhe në kuadër të këtij procedimi është bërë sekuestrimi i shumës monetare prej 232.000 lekësh të prerjeve të ndryshme si dhe 50 euro, të dyshuara të falsifikuara.