Një i ri nga Kruja ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës pasi është kapur me 900 gram kokainë me vete të cilën e shpërndate në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Policia bën me dije se 24-vjeçari Klodian Toshi, për t’iu shmangur kontrolleve, lëvizte me taksi.
Njoftimi i policisë:
Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Taxi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.
Sekuestrohen 900 gramë kokainë dhe një aparat celular. Vihet në pranga 24-vjeçari që posedonte kokainën dhe e shpërndante atë në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë operacionit janë goditur edhe dy raste të shpërndarjes së drogave në doza dhe janë vënë në pranga edhe 2 shtetas të tjerë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, bazuar në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë goditur dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit “Taxi”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. T., 24 vjeç, banues në Krujë.
Ky shtetas, për të shmangur kontrollet nga Policia, lëvizte me taksi. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, 24-vjeçari u kap duke qarkulluar si pasagjer në një mjet taksi, në rrugën “Asim Vokshi”. Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policë, shtetasit K. T. iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 900 gramë kokainë dhe një aparat celular.
Po në vijim të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. M., 25 vjeç dhe M. Xh., të dy banues në Kamzë, pasi gjatë kontrolleve fizike nga shërbimet e Policisë, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuara narkotike të llojit kokainë dhe cannabis sativa, të ndara në doza.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.