Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia pasi ka shkaktuar dy aksidente të njëpasnjëshme teksa ishte vënë në ndjekje nga blutë.
Sipas policisë Denis Shima është konstatuar duke ecur më shpejtësi në zona të banuara dhe është sinjalizuar për ta ndaluar.
Shima jo vetëm që nuk i është bindur urdhërit të policisë, por është larguar me shpejtësi duke përplasur një këmbësor në afërsi të shkollës Vasil Shanto dhe një taksi në rrugën Sulejman Delvi, për ta kapur më pas pranë ish-sheshit “Shqiponja”.
Njoftimi i policisë:
Nuk iu bind urdhrit të shërbimeve të Qarkullimit Rrugor, për të ndaluar, gjatë tentativës për t’u larguar aksidentoi një shtetas dhe përplasi një automjet, vihet në pranga 30-vjeçari.
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, ditën e sotme, në bulevardin “Gjergj Fishta”, kanë konstatuar një automjet, drejtuesi i të cilit nuk rregullonte shpejtësinë në zonat e banuara dhe përdorte aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit.
Duke vlerësuar riskun që ky shtetas paraqiste duke drejtuar mjetin në mënyrë jo të rregullt, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur dhe ka vazhduar lëvizjen.
Menjëherë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit, drejtuesi i të cilit, gjatë tentativës për t’u larguar, ka aksidentuar shtetasin D. B., 61 vjeç, në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, dhe më pas, në rrugën “Sulejman Delvina”, ka përplasur një mjet tip taksi dhe është larguar.
Në afërsi të ish-sheshit “Shqiponja”, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur ndalimin e automjetit, drejtuesi i të cilit, pas testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi D. Sh., 30 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundështimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.