Emri/ Theu ‘arrestin shtëpiak’, arrestohet punonjësi i policisë në Korçë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar në lidhje me thyerjen e masës së sigurisë ‘arrest shtëpiak’ për punonjësin e policisë Enea Qose.

Mësohet se 24-vjeçari është arrestuar pranë një Bar Kafe në Pogradec.

I riu akuzohet për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Mësohet se në maj të këtij viti polici u arrestua pasi shpërdoroi detyrën duke marrë ryshfet nga një shtetas nga Kosova.

Njoftimi i plotë:

Pogradec – Sektori i Hetimit të AMP-së Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin E.Q., 24 vjeç për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Në datë 08.09.2022, rreth orës 22:30, ky punonjës policie (i pezulluar dhe nën hetim me masën e sigurimit personal të “Arrestit në shtëpi”) është kapur në flagrancë në ambjentet e një biznesi Bar Kafe në lagjen Nr. 4 Pogradec, duke thyer masën e “Arrestit të shtëpisë” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec, në kuadër të procedimit penal nr.163, viti 2022 (në hetim).

Ky procedim penal është regjistruar mbi materialin referues të dërguar nga AMP Korçë, pasi më datë 18.05.2022 ai është ndaluar me iniciativë nga oficerët e policisë gjyqësore të AMP-së, si i dyshuar për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumentave”.

Materialet e para hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *