Një infermier në Urgjencën e Spitalit Korçë është arrestuar nga policia pasi akuzohet se ka vjedhur në farmacinë e Spitalit, një sasi medikamentesh dhe pajisjesh mjekësore.
Dy vjedhjet janë kryer me datë 8 mars të këtij viti dhe e fundit ditën e djeshme. Nikolin Ciko vodhi një sasi e konsiderueshme medikamentesh e pajisjesh mjekësore me vlerë mbi 1.000.000 lekë.
NJOFTIMI:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Farmacia”.Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Korçë, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e vjedhjes.Dokumentohen dy vjedhjet e ndodhura në farmacinë e Spitalit Rajonal Korçë, vihet në pranga një infermier.Sekuestrohet një sasi medikamentesh të ndryshme, me vlerë të konsiderueshme. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e dy ngjarjeve të ndodhura më datë 08.03.2021 dhe 30.08.2021, ku në farmacinë e Spitalit Rajonal Korçë, u vodh një sasi e konsiderueshme medikamentesh e pajisjesh mjekësore me vlerë mbi 1.000.000 lekë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Farmacia”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar shtetasit N. C., 43 vjeç, banues në Korçë (me detyrë infermier pranë Urgjencës së Spitalit Korçë). Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se, ky shtetas kishte vjedhur në farmacinë e Spitalit, një sasi medikamentesh dhe pajisjesh mjekësore, të cilat shërbenin për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe me sëmundje tumorale, ku në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua sasia e medikamenteve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda.
/Priza.al/