Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, së bashku me kabinetin qeveritar, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz. Ai ka deklaruar se kanë shkuar në këtë vend, për të kuptuar se nga vijnë dhe për të ditur më mirë se ku do të shkohet. Në një prononcim për mediat, Kurti është shprehur se tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, dhe se ende nuk është vënë drejtësi.
“Dje pranuam detyrën si qeveri e re e cila u votua në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe sot në ditën e parë të punës erdhëm herët në Prekaz, në këtë vend të flijimit e të bashkimit, ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe. Mirëpo rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar, i dha hov ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtar, e cila më 24 mars 1999 dërgoi aleancën më të fuqishme të historisë së njerëzimit kundër një shteti gjenocidal siç ishte Serbia e Millosheviqit”, tha Kurti.
“Ne i kujtojmë me dhembje e mall Shaban, Hamzë e Adem Jashari dhe të gjithë, 59 anëtarët e kësaj familjeje, gjysma e të cilëve ishin gra dhe fëmijë.
Drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë në vend, ashtu sikur për shumë dëshmorë e martirë të tjerë anekënd Kosovës. Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë dhe ne kthehemi e rikthehemi në Prekaz për ta kuptuar prej nga vijmë dhe për ta ditur më mirë kah duhet të shkojmë”, përfundoi Albin Kurti.