Ener Valencia ishte personazhi kryesor i fitores 2-0 të Ekuadorit ndaj Katarit në Kupën e Botës që nisi sot, pikërisht në vendin e Lindjes së Mesme. Dy golat e shënuar nga sulmuesi, shtuan edhe më shumë famën e kapitenit të Ekuadorit, i cili është një idhull në vendin e tij të cilin e përfaqëson që nga viti 2012.
Sot, goli i tij i parë i ndeshjes hyri edhe në historinë e Botërorëve për tre arsye të ndryshme. E para ishte sepse në fakt penalltia nga e cila erdhi goli, rezulton të jetë e para që akordohet në favor të Ekuadorit në historinë e Botërorëve. Përveç kësaj, kjo ishte hera e parë që goli i parë i një Botërori vinte me një gjuajtje nga pika e bardhë, shkruan “Panorama Sport”.
Ndërkohë, Ener Valencia bëhet futbollisti më i vjetër në moshë që shënon golin e parë të një aktiviteti të tillë. Në moshën 33-vjeç e 16 ditë, ai theu rekordin që mbahej nga Alesandro Altobeli, i cili në moshën 30- vjeç e 184 ditë shënoi ndaj Bullgarisë në Botërorin e vitit 1986.
Valencia u bë njëkohësisht lojtari i dytë që arrinte të shënonte një dygolësh në ndeshjen e hapjes së Botërorit, gjë që e kishte realizuar vetëm Anxhelo Skiavio në edicionin e vitit 1934 (Itali-SHBA 7-1). Sulmuesi i Ekuadorit tashmë rezulton se ka shënuar 5 golat e fundit radhazi për përfaqësuesen e tij në fazën finale të Botërorit, i kaluar vetëm nga Euzebio, Oleg Salenko dhe Paolo Rosi, të cilët kanë shënuar 6 radhazi.