Interesi për energjinë diellore por edhe atë nga era vazhdon të mbetet i madh me kërkesa të vazhdueshme të paraqitura pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për impiante me kapacitet të ndryshëm.
Së fundmi, MIE bëri të ditur se janë dorëzuar aplikimet për dy projekte të reja njëri i vendosur në zonën e Durrësit kurse tjetri në atë të Pukës. Bëhet fjalë për impiante me kapacitet 3 MW dhe 2 MW të cilët ndërtohen nga biznesi për qëllime tregtimi të energjisë ose në treg të lirë ose përmes marrëveshjes me qeverinë.
Konkretisht aplikimi i parë i takon shoqërisë “DESLA” SH.P.K. e cila ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet 3 MW, i cili nuk është objekt konçesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Zonën Kadastrale Nr. 8517, Bashkia Durrës, Qarku Durrës.
Ndërkohë, e dyta është shoqëria “ROI ENERGY” SH.P.K. ka shprehur interesin për ndërtimin e një impianti eolik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet 2 MW, me vendndodhje në Kcirë, Pukë.
Interesi për energjinë fotovoltaike është rritur në mënyrë të shpejtë nga viti 2017, kur u miratua ligji për burimet e rinovueshme por kriza e energjisë i ka dhënë ritëm të ri projekteve që paraqiten pranë institucioneve.
Ministria aktualisht ka në rishikim ligjin e burimeve të rinovueshme dhe ka njoftuar duke parashikuar gjithashtu lehtësime ku ndër të tjera për autoprodhuesit, me një bilanc tashmë vjetor që pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari 2023.
Projekte të rëndësishëm të impianteve të mëdha janë aktualisht në faza zbatimi ose fillestare para nisjes së zbatimit të tilla si Karavastja apo Spitalla që u fituan nga Voltalia dhe për të cilat shteti ka marrëveshje blerjeje energjie për një periudhë të caktuar me një çmim fiks.
Ndërkohë që ka një numër të konsiderueshëm projektesh të mëdha që po zbatohen privatisht nga bizneset të cilat kanë zhvendosur investimet në energjinë diellore për shkak të çmimit të leverdishëm dhe uljes së kohës së kthimit të investimit.
Sipas të dhënave të MIE kapaciteti i instaluar për projektet për të cilat ka interes në energjinë fotovolatikë është 610 MW./Monitor