Gjyqtarja Enkelejda Kapedani, e cila u bë e njohur për publikimin e videove të saj në “Tik-Tok” teksa bënte sfilatë në zyrë, është pezulluar nga detyra me të drejtën për të marrë pagën minimale për një periudhë kohore për 6 muaj.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar këtë të hënë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Kapedani ka pranuar shkeljen e saj disiplinore, duke bashkëpunuar kështu me drejtësinë.
Kjo ka bërë që KLGJ të kërkojë marrëveshje me gjyqtaren, një kërkesë kjo që është pranuar dhe nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.
Duke u nisur nga fakti se Kapedani pranoi shkeljen disiplinore, KLGJ vendosi një masë më të butë, pra atë të pezullimit nga detyra dhe marrjen e pagesës minimale për 6 muaj.
Në njoftimin e saj, ILD sqaron se: Magjistratja ka deklaruar se periudha e pezullimit deri më sot i ka shërbyer për të reflektuar thellë rreth situatës dhe të ndjejë një peshë përgjegjësie dhe përgjegjshmërie për atë çfarë ka ndodhur, duke e bërë më të kujdesshme në jetën e saj private. Magjistratja ka qenë bashkëpunuese dhe nuk ka qenë pengesë lidhur me vazhdimin e hetimeve, apo vënien në dispozicion të ILD të mjeteve apo informacionit të nevojshëm.
Njoftimi i ILD-së:
Në kuadër të hetimit shtesë disiplinor, ILD ka pranuar kërkesën e magjistrates E.K. me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për arritjen e një marrëveshjeje, (bazuar në nenin 135, paragrafët 1- 4 të ligjit nr. 96/2016), duke pranuar shkeljen disiplinore në këmbim të një mase disiplinore më të butë.
Hetimi disiplinor ndaj magjistrates E.K., i realizuar në përputhje me afatin 3 ditor të pezullimit të magjistratit, nisi me iniciativë në Maj 2021 nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë pas publikimit gjerësisht në media e rrjetet sociale, të disa videove, ku shfaqej magjistratja E.K., në ambientet ku ushtronte detyrën dhe brenda një automjeti, me lëvizje e sjellje provokuese, shoqëruar me muzikë të papërshtatshme për imazhin e një magjistrati. Më 07.06.2021 KLGJ pranoi kërkesën e ILD për pezullimin e magjistrates E.K. dhe kërkoi hetime shtesë lidhur me propozimin për shkarkim nga detyra për shkelje të rëndë disiplinore.
Në kuadër të vijimit të hetimit disiplinor nga ILD, magjistratja E.K. depozitoi më 30.09.2021 pranë ILD-së, “Kërkesë për arritjen e marrëveshjes”, duke pranuar shkeljen disiplinore në këmbim të një mase disiplinore më të butë.
ILD vendosi të pranojë marrëveshjen bazuar në rrethanat e reja të krijuara:
- Magjistratja ndryshe nga qëndrimi mohues lidhur me shkeljen disiplinore gjatë procedimit fillestar disiplinor ka marrë përsipër peshën e përgjegjësisë morale, ka kërkuar ndjesë, si dhe ka shfaqur pendesë lidhur me aktet e kryera nga ana e saj.
- Magjistratja ka depozituar me shkrim dorëheqjen e saj nga pozicioni i Zëvendëskryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si shenjë reflektimi ndaj shkeljes disiplinore të kryer nga ana e saj.
- Gjyqtarja ka pohuar se në çastet e para është gjendur përballë një presioni shumë të madh psikologjik, familjar, mediatik dhe institucional, të cilat në tërësinë e tyre ndikuan edhe aftësinë e saj për të përceptuar realitetin dhe mënyrën e reagimit ndaj tij.
- Magjistratja ka deklaruar se periudha e pezullimit deri më sot i ka shërbyer për të reflektuar thellë rreth situatës dhe të ndjejë një peshë përgjegjësie dhe përgjegjshmërie për atë çfarë ka ndodhur, duke e bërë më të kujdesshme në jetën e saj private.
- Magjistratja ka qenë bashkëpunuese dhe nuk ka qenë pengesë lidhur me vazhdimin e hetimeve, apo vënien në dispozicion të ILD të mjeteve apo informacionit të nevojshëm.
Më dt.05.01.2022, ILD dhe magjistratja u dakordësuan për nënshkrimin e marrëveshjes së përbashkët të pranimit, për caktimin ndaj magjistrates E.K. të masës disiplinore “Pezullim” me të drejtën për të marrë pagën minimale për një periudhë kohore për 6 muaj, parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “d”, neni 110 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 103, paragrafi 1, shkronja “dh”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe shkelje të Kodit të Etikës Gjyqësore të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor me Vendimin nr. 171, datë 22.04.202: Seksionit “C” “Parimi i integritetit”, shkronja “a” dhe “b”, Seksioni “Ç” “Parimi i sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje”, pika 9, shkronja “c”.
/Priza.al/