Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, njoftoi ditën e sotme se do të ndërtohen 200 mijë banesa në 11 provincat e goditura nga tërmeti shkatërrues i dy javëve më parë.
“Asnjë nga këto ndërtesa nuk do të jetë më e lartë se tre ose katër kate,” tha Erdogan gjatë një vizite në provincën Hatay, e cila u godit rëndë nga tërmeti 7.8 ballë që vrau më shumë se 46,000 njerëz në Turqi. Të paktën 118,000 ndërtesa u shkatërruan plotësisht ose u dëmtuan rëndë.
“Të gjitha ndërtesat do të ndërtohen nga e para në tokë të fortë dhe me mjetet e nevojshme” – theksoi presidenti turk, duke sqaruar se ndërtimi do të fillonte në mars. Siç tha ai, këto banesa do të ndërtohen larg thyerjeve tektonike dhe “më afër maleve, për t’i mbrojtur nga problemet e krijuara nga tokat e buta”.
“Ne do të fillojmë t’i zhvendosim bashkëqytetarët tanë, të cilët tani jetojnë në kampe çadrash dhe kontejnerësh, në shtëpitë e tyre (të reja) brenda një viti,” premtoi gjithashtu Erdogan, në deklaratat e tij publike.
130,000 nga shtëpitë që ai premtoi do të ndërtohen në provincat Hatay, Kahramanmaras dhe Malatya, tre zonat më të prekura nga tërmeti. Erdogan siguroi se do të ndërtohen edhe xhami dhe objekte të tjera kulti.